Një Drekë Festive Që Bashkoi Anëtarët dhe Mbështetësit e Lëvizjes “LAI”

Më 14 dhjetor, ditë e shtunë, Komiteti Drejtues i Lëvizjes “LAI” organizoi një drekë festive për të shënuar fundvitin. Aktiviteti u mbajt në tavernën e njohur “Pedhaqa Dajko” dhe mblodhi së bashku anëtarë, mbështetës dhe personalitete të njohura të komunitetit.

Ndër të pranishmit ishin përfaqësues të degës së Dardanisë, Maqedonisë dhe qarqeve të ndryshme nga Shqipëria. Po ashtu, morën pjesë edhe personalitete si Adil Mustafa, mjek dhe përfaqësues i Lëvizjes “ILIRIDA” në Maqedoni, Zaim Korsi, biznesmen dhe patriot, Moza Shehu, poete dhe moderatore, Flutura Ymeri, poete dhe këngëtare, si dhe Ilir Selba, Administrator i Krabës dhe drejtues i ansamblit artistik “Visaret e Krabës”.

Atmosfera festive u pasurua me dolli, diskutime të hapura dhe vendime të rëndësishme. Në këtë kuadër, u vendos ngritja e grupit të punës për gazetën e lëvizjes, e cila do të drejtohet nga publiçisti Z. Dugagjin Hata. Po ashtu, u formua ekipi drejtues për menaxhimin e aktiviteteve artistike, kulturore dhe patriotike, nën mbikëqyrjen e Ruzhdi Dervishit dhe Agim Picakut. Për ndjekjen e projekteve dhe koordinimin me bashki e biznesmenë, u ngarkuan Prof. Faik Xhani dhe Ilir Selba.

Dreka festive, që zgjati gjashtë orë, kulmoi me vendimin që të organizohet një ngjarje e tillë çdo fundvit. Ky organizim do të shërbeje si analizë e aktiviteteve vjetore dhe planifikim i programit për vitin e ardhshëm.

Për ta përjetuar plotësisht këtë moment të veçantë, pjesëmarrësit realizuan shumë foto dhe regjistruan të gjithë eventin në video. Prioriteti kryesor mbetet vazhdimi i ngritjes së degëve të reja dhe sigurimi i fondeve për realizimin e aktiviteteve të ardhshme.

Ky aktivitet simbolizon frymën e bashkëpunimit dhe vizionin e përbashkët për ta çuar përpara lëvizjen “LAI”, duke mbetur një kujtim i bukur dhe frymëzues për të gjithë pjesëmarrësit.

 

Scroll to Top