Një ditë e zakonshme e tetorit u shndërrua në një moment të veçantë për Lëvizjen Atdhetare Iliria, teksa u zhvillua një drekë e paharrueshme në Restorantin Panorama në Prishtinë, organizuar nga Familja Sinani, e cila na mirëpriti me bujari dhe zemërgjerësi të jashtëzakonshme.
Në një atmosferë të mrekullueshme, ku ushqimi dhe mikpritja ishin të shkëlqyera, ne patëm mundësinë të diskutojmë për disa nga çështjet më të rëndësishme për të ardhmen e kombit shqiptar dhe misionin tonë historik.
Vëllezërit tanë dardanë — Hajrush Redenica, Zenel Hajrizi, Arben Gashi, Rahman Hyseni — na pritën me një bujari të jashtëzakonshme, ndërsa në diskutime u bashkuan edhe të rinj dhe të reja nga Diaspora me misione të larta kombëtare. Për më tepër, dega e Maqedonisë na surprizoi me pjesëmarrjen e Kryetarit të saj, profesor Aziz Jakupi, së bashku me anëtarët Rexhep Emurllai, Murat Ismaili, dhe Sadri Husmani.
Bisedat u zhvilluan në një frymë të hapur, plot patriotizëm, teksa diskutuam për plagët që kanë lënë pas shekujt mbi kombin shqiptar dhe mënyrat më të mira për të bashkëpunuar në shërim apo lehtësim të tyre. Ky bashkim, edhe pse i vogël në dukje, na dha ndjesinë e një bashkimi të madh kombëtar, duke nënvizuar se gjërat e mëdha shpesh fillojnë nga ato të voglat.
Restoranti Panorama, që nuk na lejoi të paguajmë asgjë, meriton një vëmendje të veçantë për aktin e tyre fisnik dhe patriotik. Ndodhi të vogla, por me peshë të madhe kombëtare, si kjo, na kujtojnë se bashkimi dhe përpjekjet e përbashkëta janë ato që do të ndezin zjarrin e vërtetë të nacionalizmit dhe patriotizmit shqiptar.
Le të shpresojmë se ky “zjarr i vogël”, që u ndez në atë ambient të ngrohtë dhe mikpritës, do të përhapet në gjithë Dardaninë, duke mbajtur të gjallë shpirtin tonë kombëtar dhe dëshirën për bashkim të atdheut tonë të dashur.
